Policia e Tiranës ka arrestuar 37 vjeçarin D.Xh, pasi goditi një efektiv policie i cili ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit që 37 vjeçari kishte me një shtetas tjetër.
Ndërkohë bëhet me dije se në pranga kanë përfunduar edhe 3 persona të tjerë për vepra të ndryshme penale.
Njoftimi i Policisë:
Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasin J. M., 28 vjeç, pasi në rrugën “Prokop Mima”, gjatë kontrollit të mjetit me të cilin qarkullonte ky shtetas, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike kanabis.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. Xh., 37 vjeç, pasi gjatë një konflikti të çastit me një shtetas tjetër, ka goditur për shkak të detyrës punonjësin e Policisë që ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
L. H., 32 vjeç, pasi në vendin e quajtur “ 2 Çezmat Rrogozhinë”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.79 g/l.
K. C., 21 vjeçe, pasi në rrugën “Abdyl Frashëri”, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
