Një ditë më parë u bë e ditur se janë arrestuar disa zyrtare të AKBN, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore nën akuzat e mashtrimit, kontrabandës dhe fshehje të ardhurash.
Mësohet se ata janë Simon Marku, Arben Doda, Naim Kasa, Denis Durrsi dhe Qani Hoxhaj, ndërsa për Rezarta Qose është vendosur arrest shtëpie.
Lexo edhe- Prokuroria e Tiranës kërkon arrestimin e disa zyrtarëve të ‘AKBN’
Të arrestuarit akuzohen për katër vepra penale: Mashtrim me pasoja të rënda, neni 143 i Kodit Penal; Kontrabandë me mallra që paguhen akcizë, neni 172 i Kodit Penal; Fshehje të ardhurash, neni 180 i Kodit Penal; dhe Shpërdorim detyre, neni 248 i Kodit Penal. Lajmi u konfirmua mbrëmë përmes burimeve konfidenciale të Prokurorisë së Tiranës. Ndërkohë, nga ana e Policisë nuk pati asnjë informacion zyrtar, duke qenë se operacioni ishte ende në vazhdim.
Ata u arrestuan ditën e djeshme teksa dhe dy të tjerë, Klodjan Gradeci dhe Isuf Berberi janë në kërkim nga Policia për të njëjtat akuza.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka si objekt të veprimtarisë së saj zhvillimin, mbikëqyrjen e shfrytëzimit racional të burimeve natyrore, në bazë të politikave qeverisëse dhe monitorimin e postshfrytëzimit të tyre në sektorin minerar, hidrokarbur dhe energjetik.
