Kryedemokrati Lulzim Basha është pyetur në konferencën e sotme nëse do të pranonte bashkëqeverisje me kryeministrin Edi Rama pas 25 prillit.
Ai tha se pas 25 prillit Ramën e pret gjykimi qytetar dhe vendosmëria e tij për të bërë të mundur që drejtësia ta ndëshkojë për çdo krim dhe aferë korruptive.
Basha theksoi se 25 prilli nuk do të jetë thjesht dhe vetëm fillimi i një ndryshimi, por do të jetë fundi i pandëshkueshmërisë.
“Rama e di çfarë e pret pas 25 prillit. Pas 25 prillit, Edi Ramën nuk e pret asgjë tjetër përveç gjykimit qytetar dhe vendosmërisë sime për të bërë të mundur që drejtësia të bëjë të sajën dhe ta ndëshkojë për çdo krim dhe aferë korruptive që ua ka nxirë jetën këto 7 vite. Vetëm ky është shpëtimi i Shqipërisë, jo vetëm nga përgjegjësi për këtë situatë, por nga kushdo tjetër që mund të mendojë pas tij se mund të bëjë çfarë ka bërë ai me shqiptarët dhe t’ia hedhë pa lagur. Jo! 25 prilli nuk do të jetë thjesht dhe vetëm fillimi i një ndryshimi, por do të jetë fundi i pandëshkueshmërisë”, deklaroi Basha.
