Ashtu siç u bë e ditur edhe ditën e firmosjes së Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, Greqia ishte shteti i parë që e ratifikoi këtë protokoll. Kryeministri Aleksis Cipras siguroi 153 votat e nevojshme, në një seancë që u dominua nga tensionet mes tij dhe kolegut të koalicionit qeverisës, Panos Kamenos.
Cipras u akuzua sërisht për tradhëti kombëtare dhe blerjen e tre deputetëve nga grupi parlamentar i Kamenos.
“Blerja e karrigeve ministrore për të plotësuar 151 vota tregon se po flasim për përmbysje të Kushtetutës dhe çdo morali”, tha ai.
Por kryeministir grek duke ironizuar tha se “me asnjë parti tjetër s’kishte për të gjetur një bashkëpunim kaq të suksesshëm, pavarësisht planit të Kamenos për të rrëzuar qeverinë”. Ndërsa kreu i Demokracisë së Re Konstandinos Micotakis akuzoi Cipras për tregti politike.
Ndërkohë Shqipëria do e ratifikojë këtë Protokoll në seancën kuvendore javën e ardhshme.
