Mjeku imunolog Genc Sulçebe, theksoi se mbajtja e maskës është e rëndësishme për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19. Sulçebe, duke u përgjigjur për llojin e maskës që duhet të përdorin qytetarët, u shpreh se kjo gjë nuk ka rëndësi, pasi sipas tij me rëndësi është mbulimi i hundës dhe i gojës, në mënyrë që të mos përçojnë virusin si dhe të jenë të mbrojtur nga të tjerët.
“Është një fakt i njohur se kemi të bëjmë me një pandemi dhe gjithë popullsia nuk është imune është e prekshme nga ky infeksion. Dhe është e qartë që virusi shpërndahet nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Rruga më e thjeshtë për të ndaluar përhapjen e këtij virusi është mbulimi i rrugëve të frymëmarrjes, pra vendosjen e maskës që mbulon hundën dhe gojën dhe për fat të keq nuk është vendosur theksin si duhet në këtë masë. Tre rregullat kryesore, maskimi i popullatës, mbajtja e distancës si dhe higjiena personale dhe fatkeqësisht që në popullatat tona nuk u respektua siç duhet. Mbajtja e maskës në mënyrë sistematike, si në ambiente të jashtme ashtu dhe të brendshme dhe distancimi janë mjetet e vetëm që mund të ndalojmë përhapjen e virusit. Mjafton të mbulojmë hundën dhe gojën, nuk ka rëndësi lloji i maskës. Është kirurgjikale, është e sofistikuar apo qoftë e bërë edhe vetë, të gjitha kanë funksionin të mbulojnë rrugët e frymëmarrjes dhe të pengojnë që spërklat ti eliminojmë, kur flasim apo kur kollitemi dhe njëkohësisht mos të infektohemi nga të tjerët.”- tha Sulçebe.