Kosova po përjeton një nga periudhat më negative në historinë e tyre të shkurtër si kombëtare. Dardanët nuk kanë mundur të fitojnë asnjë nga shtatë ndeshjet e fundit, teksa regjistrojnë vetëm një barazim në transfertën e Moldavisë. Situatën e rëndoi akoma më shumë humbja ndaj Maqedonisë së Veriut, që i hoqi edhe ëndrrën për të shkuar në Europian.
Një nga shkaqet më të mëdha të situatës së vështirë të ditëve të fundit është edhe mungesa e yjeve kryesorë të ekipit. Rrahmani, Muriqi e Rashica nuk janë pjesë e ekipit, teksa në ndeshjen e sotme ndaj Greqisë, Kosovës do i mungojnë edhe tre yjet e fundit, që kishin mbetur në këtë grumbullim. FFK bën me dije se Arbër Zeneli, Valon Berisha dhe Edon Zhegrova nuk kanë udhëtuar me ekipin për shkak të kushteve të papërshtatshme fizike.
“Përfaqësuesja e Kosovës është nisur sot për në Athinë, ku të mërkurën do të luajë kundër Greqisë në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve. Me ekspeditën e Dardanëve nuk udhëtuan Valon Berisha, Arbër Zeneli dhe Edon Zhegrova, për të cilët pas ekzaminimeve mjekësore në mëngjes u konstatua se nuk janë në gjendje të luajnë në ndeshjen kundër Greqisë. Kosova, sonte, në orën 18:00 sipas orës lokale do ta mbajë stërvitjen në Athinë”, shkruhet në komunikatën e Federatës dardane.
