Mbi 70 mijë individë në të gjithë vendin trajtohen me pension invaliditeti nga shteti. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për gjysmën e parë të vitit, në total janë 70.149 përfitues ku peshën më të madhe e zënë pensionet e invaliditetit në zonat urbane. Konkretisht trajtohen me pensione urbane invaliditeti 63 mijë e 450 individë dhe me pensione rurale invaliditeti 6699 individë.
Sa i takon ndarjes në qarqe, në zonat urbane kryeson Tirana me afro 14 mijë përfitues, e ndjekur nga Elbasani me rreth 9900 përfitues, dhe më pas renditen qarqe si Durrësi, Korça dhe Fieri, ndërsa më pak përfitues regjistron Gjirokastra. Pothuajse të njëjtën shpërndarje zënë edhe përfituesit ruralë ku kryeson Tirana, e ndjekur nga Elbasani, Fieri, Durrësi dhe Korça dhe në fund renditet Kukësi, për nga numri i përfituesve. Pjesën më të madhe të pensioneve të lidhura nga shteti për këtë kategori e përbëjnë ato me sëmundje të përgjithshme, dhe një numër i vogël prej tyre trajtohen për shkak të aksidenteve në punë apo sëmundjeve profesionale, me afro 2700 individë në total.
Pensionet e invaliditetit
Pensione urbane 63.450
Pensione rurale 6699