Dakordësi e kushtëzuar, kështu e ka cilësuar Ksenofon Krisafi, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare hapin e ndërmarrë nga Greqia dhe Shqipëria për të çuar çështjen e detit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Krisafi tha në ABC se ka besim se çështja do të marrë zgjidhje në këtë gjykatë pasi kemi të bëjmë me një organ ndërkombëtar të pakorruptueshëm ndërsa theksoi se Shqipëria është në të drejtën e saj pasi kufijtë janë tashmë të përcaktuar ndërsa e vetmja çështje në tryezë është zona ekonomike ekskluzive. Ai u shpreh se nëse preket kufiri shtetëror të dy palët do të kenë pretendime dhe kjo do të sillte precedentë të tjerë.
“Nuk ka barazi palësh. Rruga e negociatave biletarale nuk e dha rezultatin e pritshëm. Në këto kushte mbetet faktori i tretë, Gjykata Ndërkombëtare ose një palë e tretë. Nisur nga fakti se nga kush përbëhet Gjykata e Hagës, nga njerëz të pakorruptueshëm, unë gjykoj se çështja atje duhet të marrë një zgjidhje. Shqipëria është në të drejtën e saj pasi kufijtë e saj i ka të përcaktuara. Mbetet të caktohet vetëm zona ekonomike ekskluzive.
Marrëveshja e vitit 2009 kishte bërë pikërisht këtë gabim duke prekur ujërat e brendshme territoriale. Nëse do preket kufiri shtetëror të dy palët mund të kenë pretendime të shikojnë edhe pjesë të tjera të kufirit duke krijuar precedentë të tjerë. Do duhet të hetohet përvoja e të tjerëve që pala shqiptare të shkojë në Hagë me argumente për të mbrojtur të drejtën e vendit të vet”, tha Krisafi.
