Ulja e dënimit për Dritan Dajtin ka sjellë reagime të forta në opinionin publik.
Kujtojmë se Dajti është autor i vrasjes së 4 policëve në plazhin Iliria në vitin 2009 në Durrës, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Freskaj dhe Sajmir Duçkollari.
Ngjarja ndodhi kur Forcat Operacionale shkuan të arrestonin Dritan Dajtin, i cili asokohe ishte shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, burgut të përjetshëm.
Së fundmi Dajtit i është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar çka do të thotë se ai do të dënohet me vetëm 25 vite burg.
Në lidhje me këtë çështje një komentues i ka shkruar kryeministrit në Facebook, duke i kujtuar çështjen dhe duke i thënë se kjo nuk është drejtësi.
“Të fala Dritan Dajtit! Hahah del krimineli për vrasje të katërfishtë nga burgu dhe ti thua qëe s’kam timonin e drejtësisë. Hahahah për çfarë erdhe në pushtet apo për të bërë llaç edhe tulla?”, shkruan komentuesi.
Pas kësaj Rama i përgjigjet: “Mos u zgërdhi shumë se na këput ndonjë nerv e të mbetet goja kantato! Timonin e drejtësisë ky sistem ia jep pushtetit gjyqësor dhe ia ndalon me Kushtetutë e me ligj qeverisë, që ta marrësh vesh zotrote, ndërsa qeveria dhe unë kemi ndërmarrë reformën më të thellë të drejtësisë, pikërisht që të pastrohet sistemi nga fundërrinat që e morën peng 30 vjet. Ky proces ka nisur dhe do kërkojë mundimin e kohën e vet, kështu që fute gjuhën brenda dhe mblidhi buzët e shqyera vesh me vesh, se shtetbërja s’është llaf goje.”