Vazhdon mëdyshja rreth rifillimit apo jo të futbollit në vendin tonë, por duket se brenda Ligës ka zëra të cilët duan që skuadrat të kthehen sa më parë në fushë. Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, tregoi në “Sport News Plus” se pavarësisht unitetit brenda Ligës, ai mendonte se ekipet duhej të ktheheshin në fushë pasi e kishin dhënë mesazhin e tyre.
“Shpresojmë të fillojë sa më shpejt, se çdo ditë që kalon jemi me humbje, po paguajmë detyrimet ndaj lojtarëve. Kërkesat janë të drejta.
Sinjalet janë kontradiktore, se pati takim mes palëve dhe u panë më pas sinajle pozitive. Por më pas pati një konfirmim tjetër nga Ministrja e FInancave që tha që pjesa e Ligjit të Sponsorizimve nuk do të ketë ndryshim. Ka ardhur momenti të ndajmë si do të vazhdojë situata se nga njëra anë ka kërkesa të drejta me bojkotin që ka qenë ekstreme që askush nuk e do.
Duhet të marrim shembullin e vendeve rajonale, si Kosova e Maqedonia. Këtu duhet të nisë ndryshimi i Ligjit të sponsorizimeve që të vazhdojë loja, se me sa kam informacion tre pikat e tjera janë të negociueshme, deri diku janë gjetur pika të përbashkëta.
Bojkoti është mase ekstreme, unë kam pasur propozime të vazhdojë protesta derisa të plotësohen kërkesat e të shkohet deri aty sa të ulemi edhe me faktorin e opozitës të diskutojmë se është një ligj që duam të jetë afatgjatë për perspektivën. Ka pasur diskutim për protesta por duke pasur situatën e bojkotit dhe pandemisë, janë të kufizuara pjesa e protestave. Duhet të vazhdohet protesta, por pjesa e bojkotit e ka arritur qëllimin e saj të vërtetë që njerëzit janë sensibilizuar, qeveria e ka marrë mesazhin që të bëhet diskutim i ri, të vazhdojë në fushë e jashtë saj me modalitete të tjera. Dua t’I bëj kryeministrit që të dalë me një deklaratë përfundimtare. Nëse realizohen apo jo, ky është momenti të ndahet.
Ka pasur në Ligë diskutime për ta kanalizuar politikisht, ka pasur debate, por qëllimi ka qenë për realizimin e tyre dhe nuk ka pasur kundërshti mes nesh. Ka pasur zëra ndryshe, sidomos presidenti i Kukësit, i cili ka dalë shpesh në deklarata. Kemi pasur dakordësi për pjesën e kërkesave dhe duhet të vijë një moment që të merremi seriozisht se futbolli ka impakt të jashtëzakonshëm. Duke pasur parasysh situatën e vështirë, njerëzit e kanë të limituar argëtimin e futbolli duhet të nisë. Qeveria të dalë me deklaratë dhe të gjendet një zgjidhje”, tha Xhaferi.