Kthimin e studentëve në auditore, specialistët e Komitetit Teknik për COVID-19 e shohin si rrezik për përhapjen e mëtejshme të koronavirusit në vend, për tre arsye.
“Është një grupmoshë aktive dhe janë transmetues shumë të mirë sepse qëndrojmë dhe në grupe. Kemi auditorë masive, me shumë studentë në leksion, prandaj u mor edhe një vendim i tillë”, tha Tomini.
Këto, por dhe numri i lartë i të infektuarve javët e fundit, personat që kanë nevojë për trajtim spitalor dhe ata për terapi intensive sipas shefes së Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik Eugena Tomini, detyruan ekspertët e shëndetësisë ti kthehen masave shtrënguese.
Karantina totale apo gjeografike sipas Tominit janë mundësitë e fundit, por nëse të prekurit vijojnë rritjen nuk do të mungojnë kufizimet e tjera.
“Është duke u vlerësuar në mënyrë sistematike që baret dhe restorantet, kryesisht në disa zona të Tiranës shohim që ka grumbullime masive. Karantina do të jetë e padëshirueshme nga të gjithë ne. Do të jetë…karantinë kombëtare, në nivel kufitar me të gjithë shtetet e tjera, por edhe brenda vetes me të gjithë rrethet e Shqipërisë.
Do ta theksoja si një element të fundit dhe të gjithë anëtarët e Komitetit janë në të njëjtin mendim, por duhet të vlerësohen të gjitha mundësitë e mëparshme për të mos arritur deri tek efekti i karantinës”, sqaroi Tomini për ABC.
