Si çdo të hënë kryetari i PS-së Edi Rama ka mbledhur drejtuesit politikë në qarqe lidhur me ecurinë e punës për zgjedhjet e 25 prillit.
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla zbardhi detaje nga takimi i sotëm duke thënë se të pranishëm kanë qenë dhe ministrat dhe tema kryesore e diskutimit ka qenë adresimi i problematikave të qytetarëve.
Balla më pas i bëri thirrje opozitës të mos bëj politike me pandeminë.
“Ka pasur një raportim të ecurisë së punëve tona organizative. Në vëmendjen tonë të përhershme janë dhe problematikat që ngrenë qytetarët. Edhe në mbledhjen e sotme ka pasur një raportim të të gjitha çështjeve. Përveç drejtuesve politik të qarqeve, në mbledhjen e sotme ishin dhe ministrat, për të ndjekur çdo lloj problematike. Vëmendja jonë është për njerëzit, ndaj dhe qasja jonë për të adresuar problematikat e tyre është e vetmja.
Ne vijojmë një komunikim të vazhdueshëm në çdo cep të territorit. Shpreh mbështetjen time dhe të kolegëve të mi për të gjithë bluzat e bardha, që janë në krye të detyrës, por kryesisht në qendrat spitalore, ku po përballen me të sëmurët. Ju shpreh falënderimet më të sinqerta për një punë të shkëlqyer që po bëhet. I bëj një thirrje miqësore politikanëve të së keqes, që të heqin dorë nga politika djallëzore dhe fyerjet e padrejta që iu adresojnë atyre që janë në krye të detyrës. Nuk ka asnjë opozitë kaq djallëzore në botë që të bëjë politikë me këtë situatë”, tha Balla.
