Veç pandemisë vendin e kanë mbërthyer edhe protestat studentore. Një ditë më parë u organizuan disa protesta para Kryeministrisë, Ministrisë së Arsimit dhe asaj të shëndetësisë kundër mësimit online. Dhjetëra studentë varën maskat në kangjellat e Ministrisë së Arsimit në shenjë proteste të hënën, kundër vendimit për nisjen e vitit të ri akademik përmes platformave online. Studentët u ankuan gjithashtu për njoftimin e vonuar të nisjes së mësimit në distancë.
“Me dy standarde ku çdo gjë është hapur vetëm universitetet janë mbyllur. Pa paketa falas interneti për studentët, nuk ka rimbursim të pagesave të qirave. E padrejtë.”, janë shprehur studentët.
Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” gjatë një interviste për Tirananews tregon arsyet se përse kjo protestë është e drejtë.
“Në anketimin e kryer prej ekipit të Qëndresës 85% deklaruan se sezoni i kaluar i mësimit online nuk ishte efektiv”, shprehet Qiraxhi. Më tej ai shton se nuk është ky momenti kur duhet të mbyllen universitetet duke qenë se çdo gjë tjetër në vend është e hapur.
Pse ju mbështesni protestën e studentëve kundër mësimit online?
Ne kemi mbështetur kërkesën e drejtë të studentëve për t’u konsideruar si prioritarë në shoqëri, ashtu si edhe të gjitha rekomandimet nga Banka Botërore, Unicef, të cilat udhëzojnë qartë se pas sistemit shëndetësor ai i arsimit më i rëndësishmi, pra nëse do të ketë një mbyllje universiteti duhet të jetë i fundit, në vendin tonë kjo nuk po ndodh, baret kafet pishinat palestrat të jenë plotë, dhjetra aktivitet elektorale mbahen anekënd vendit.
Ndërkohë vendimet në minutë të fundit siç ishte komunikimi për shtyrjen me 1 muaj ka bërë që pagesat e qirave për akomodim të shkojnë dëm për studentët.
“Nuk ka lidhje me virusin, është thjesht kontroll”, çfarë mendimi keni për këtë parullë që kanë hedhur shumë studentë në Tiranë?
Ne besojmë që Covid-19 është rrezik real për jetën e qytetarëve, në asnjë rrethanë nuk mund të ulim kujdesin ndaj tij, por thirrje të tilla në një familje apo komunitet të madh si ai i studentëve fatkeqësisht mund të ndodhin marrë parasysh këtu që kjo kohë është me mjaft të panjohura dhe pasiguri për të gjithë.
Un gjej rastin t’i bëj thirrje studentëve të respektojnë të gjitha masat për kufizimin e përhapjes së Covid-19
Edhe ditën e sotme është lajmëruar për protestë, mendoni se do të arrihet diçka dhe a jeni dakord me këto lloj tubimesh ku janë hequr edhe maskat në këto kohë pandemie?
Historia ka treguar se studentët sa herë kanë protestuar ja kanë dalë të fitojnë më shumë se kanë kërkuar në fillim të reagimit të tyre. Sa i përket maskave për aq kohë sa unë mora pjesë në këtë tubim vura re se kjo masë është respektuar dhe do të inkurajoja të respektohej në vijim duke shtuar edhe komponentin e distancimit social prej 1.5m.
Ditën e djeshme studentëve iu është dërguar nga një e-mail që supozohet të jetë shpjegues, lidhur me platformën e re ku do zhvillohet tashmë mësimi online. Si ju duk, sa e kuptueshme ishte. A ishte dje vonë për këtë e-mail?
Pothuajse të gjithë universitet deklaruan se kalimi i mësimit tërësisht online ishte një surprizë edhe për ta, disa universitet madje tentuan t’i rezistonin urdhrit të mbylljes, në këtë aspekt edhe udhëzimet për këtë formë vijnë për studentët jashtëzakonisht shumë vonë, të mos harrojmë që tashmë universitet e kishin konsumuar një muaj vonesë nga nisja, e cila ka qene gjithmonë fillimi muajit tetor.
Por sa i përket efikasitet të këtij mësimi, unë dua t’ju sjell në vëmendje disa të dhëna: Banka Botërore në indeksin e kapitalit human tregon se në kohë normale pa pandemi universitetet tona arrijnë t’ju japin studentëve 66% të asaj që një student duhet të përfitonte, pra një humbje 34%.
Më herët po BB ka treguar se 1 në 3 familje ka pajisje për mësimin online dhe vetëm 50% e territorit mbulohet me rrjet të nevojshëm për këtë formë mësimi.
Ndërkohë në anketimin e kryer prej ekipit të Qëndresës 85% deklaruan se sezoni i kaluar i mësimit online nuk ishte efektiv.
Nuk mendoni që për arsimin universitar mësimi online është një frymë që duhet të futet në universitet tona pavarësisht situatës aktuale?
Sigurisht që po, vendi jonë është shumë vonë në këtë proces aq vonë sa krahasohemi me 10 vjeçarë të humbur në krahasim vendet e tjera të zhvilluara, madje kjo formë mësimi edhe ligjërisht nuk është e parashikuar në ligjin e arsimit të lartë, për pasojë vendi ynë e ka pothuajse të pamundur të kaloj online me një të rënë të lapsit. Kjo formë ka nevojë për investime të vazhdueshme në infrastrukturën e teknologjisë së informacionit, si rrjeti interneti dhe pajisjet teknologjike, ka nevojë për një përgatitje metodologjike të stafeve pedagogjikë, ka nevojë për qasje në nivel politikash dhe rregullim ligjor. Tirananews.al
