COVID-19 rrezikon të lërë përsëri Elseid Hysajn larg kombëtares shqiptare të futbollit. Kapiteni i kuqezinjve, ashtu si në muajin tetor, mund të humbasë edhe ndeshjet e nëntorit, pasi në klubin e tij po mendojnë që të mos e lënë të udhëtojë për sfidat e javëve të ardhshme kur Shqipëria do të zbresë tre herë brenda pak ditësh në fushën e lojës.
Në tetor, kapiteni mungoi në ndeshjen ndaj Kazakistanit për shkak të dënimit si pasojë e kartonit të kuq që kishte marrë ndaj Lituanisë. Por në ndeshjen ndaj lituanezëve, ai mungoi se klubi i Napolit vendosi të kalonte të gjithë lojtarët në karantinë për të evituar probleme të tyre si pasojë e përhapjes së COVID-19 mes elementëve në ekip.
Situatë që pritet të përsëritet këtë muaj, pasi Napoli, bashkë me Interin, po mendojnë t’i komunikojnë UEFA-s vendimin e tyre për të mos lejuar lojtarët që t’u bashkohen përfaqësueseve, për të mos rrezikuar që t’i shohin të kthehen të infektuar, siç ka ndodhur në muajin e fundit me disa element. Kështu, trajneri Edi Reja rrezikon që të mos ketë në dispozicion një tjetër element shumë cilësor, titullar i padiskutueshëm për ekipin e tij. Hysaj do u bashkohej mungesave të sigurta të Dermakut e Bares të dëmtuar, duke detyruar trajnerin që të bënte ndryshime të tjera të mëdha në rreshtimin e skuadrës për sfidat ndaj Kazakistanit e Bjellorusisë.
