Policia e Tiranës vijon zbatimin e planit të masave për mbarëvajtjen e trafikut në kryeqytet dhe konstaton me shqetësim se drejtuesit e mjeteve ende shkelin rregullat e qarkullimit, duke parkuar vend e pa vend dhe parkim dysh, çka sjell dhe rëndim të trafikut.
Policia e kryeqytetit ka ushtruar kontrolle në Rrugën e Dibrës dhe bulevardin “Zogu i Parë”, ku janë verifikuar dhe konstatuar të pushuara në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, 98 automjete të ndryshme, të cilat janë ndëshkuar sipas dispozitave të parashikuara në Kodin Rrugor shqiptar.
“Rruga është zonë për përdorim publik, e destinuar për qarkullimin e këmbësorëve, mjeteve dhe kafshëve, parashikuar në nenin 2 të Kodit Rrugor, sipas të cilit kategoritë respektive të përdoruesve të rrugës duhet ta lexojnë dhe kuptojnë në mënyrë korrekte dispozitën e sipërpërmendur, veçanërisht drejtuesit e mjeteve që pushojnë dhe qëndrojnë ku të munden, pa menduar për shkeljen, problemet që shkaktojnë dhe aq më pak për efektet financiare që rendojnë në xhepat e tyre, nga sanksionet administrative”, thotë policia e Tiranës.
