Fatjona Lubonjën të gjithë e mbajmë mend nga pjesëmarrja e saj në moshën e adoleshencës në botën e televizionit, por tani ajo ka ndërtuar një karrierë të suksesshme, larg botës së televizionit dhe shumë larg Shqipërisë.
Lubonja është një shkencëtare dhe neurologe në SHBA në New Jersey. Por, përpos karrierës, kuptojmë se ajo ka ditur të ruajë format perfekte fizike dhe klasin, nëpërmjet pasionit që ka për sportet.
Ajo ka qenë në një lidhje me Skype në emisionin Rudina në Tv Klan ku ka treguar më shumë për jetën e saj.
Fatjona Lubonja: Më erdhi shumë për të qeshur sepse unë kam vite pa e dëgjuar “Makina e Memories” më është bërë një memorie dhe për mua. Shumë njerëz më thonë si ke ndryshuar kaq shumë nga video? Njerëzit ndryshojnë në jetë dhe kjo është pikërisht ajo që kam studiuar. Unë kam studiuar për Pedagogji Neuro-shkencë, është një studim shumë i rëndësishëm sidomos në Amerikë dhe po përhapet në të gjithë botën sepse ne marrim pedagogji e formojmë dhe e shikojmë se çfarë na studion neuro-shkenca.
Rudina Magjistari: Pse ke zgjedhur këtë fushë për të studiuar?
Fatjona Lubonja: Unë fillova universitetin direkt sa erdha në SHBA, burri im kishte nënshtetësi amerikane dhe hyra direkt në shkollë si studente amerikane. Duke studiuar, pedagogët më kanë shtyrë sepse panë tek unë një talent tjetër që nuk e dija. Kam një lloj talenti shumë të madh si vëzhguese shumë e mirë e detajuar në rehabilitime të ndryshme, ndoshta kjo sepse kam mbaruar liceun në Shqipëri. Shkolla që kam bërë në Shqipëri më ka hyrë jashtëzakonisht në punë.
Rudina Magjistari: Ti je fiksuar nga i gjithë publiku me atë këngë dhe prisnim të të shihnim më pas, por ti u zhduke sepse në fakt ke shkuar në SHBA dhe ne nuk e kishim këtë informacion. Si e kujton atë kohë, ai videoklip që ishte shumë i bukur për kohën apo jo?
Fatjona Lubonja: I gjithë xhirimi ishte një eksperiencë shumë e këndshme, ajo ishte një ditë vere dhe ne kishim mundësi të udhëtonim për në Jug. Në ato momente plazhet ishin të pahapura, qyteti i Vlorës na priti jashtëzakonisht shumë mirë, domethënë vlonjatët e morën përsipër. Kur xhiroja me Bozon, në fakt unë nuk e dija që më xhironte, pra më xhironte pa mendje. Për shembull unë bëja një bisedë më Arditin që ka qenë dhe është një njeri i mrekullueshëm akoma, ne hidheshim në det, por nuk e dinim që po xhiroheshim dhe në fund vetëm kur shikojmë videon bashkë. Ishte një gjë shumë e bukur.
Rudina Magjistari: Ti ishe një vajzë shumë e bukur, re shumë në sy në atë kohë, por më pas u zhduke menjëherë dhe more një rrugëtim krejtësisht tjetër që nuk kishte lidhje me televizionin. Nuk të tundoi kjo gjë ndonjëherë që të vazhdoje në ShBA një karrierë prej aktoreje?
Fatjona Lubonja: Jo, pavarësisht se është një art shumë i bukur, nuk e ndjej se është për mua. Më pëlqen privatësia ime pavarësisht se unë me atë video isha në çdo familje shqiptare. Ndonjëherë është dhe gjë e mirë sepse krijon memorie dhe kujtime për atë kohë. Jam shumë e lumtur që më ka ecur në këtë mënyrë në SHBA, është një punë shumë e madhe dhe jam krenare për këtë që kam bërë.
