Vedat Muriqi pret të zbresë në fushë në ndeshjen kundër Shqipërisë, duke shënuar kthimin e tij me fanellën e Kosovës një vit pas herës së fundit kur e ka veshur atë. Sulmuesi mungoi në ndeshjet e shtatorit dhe tetorit për Dardanët, por tani është gati që të japë kontributin e tij, duke filluar nga ndeshja me Shqipërinë.
Një ndeshje që Muriqi e cilëson si shumë të veçantë në vetë fjalët e tij në një postim në rrjetet sociale.
“Jam i lumtur që pas një kohe të gjatë, nesër do të jem në fushën e blertë. Gjithmonë përballjet më të veçanta janë ato me Shqipërinë, edhe pse zyrtarisht quhet ndeshje miqësore”, ishin fjalët e sulmuesit, i cili në të kaluarën ka veshur edhe fanellën e përfaqësueses Shpresa.
