Braziliani Rivaldo është një nga ata emra që do të kujtohen gjithmonë me shumë nostalgji nga tifozët e Barcelonës për shkak të viteve të suksesshme që ka kaluar në radhët e këtij klubi. Por ndoshta tifozët do ta duan më pak pas fjalëve që ai ka thënë rreth Lionel Mesit dhe të ardhmes së tij në këtë skuadër.
“Nuk arrij ta imagjinoj drejtorin e ri që ta bindë të bëjë një hap mbrapa në vendimin e tij, duke marrë në konsideratë edhe faktin që Barcelona nuk ka burime të mëdha financiare për ta mbajtur”, theksoi Rivaldo për “Marca”.
“Mesi do të ketë oferta më të mira dhe më të rëndësishme nga skuadra të tjera. Kësaj i shtojmë edhe faktin se Barcelona do të ulë rrogat, përtej faktit që Mesi deshi të largohej që në fund të sezonit të kaluar. Vetëm nëse fitojnë Ligën e Kampioneve, apo nëse Kuman do të jetë në gjendje që të ndërtojë një skuadër e cila luan mirë futbollin, vetëm ashtu e imagjinoj Mesin duke rimenduar pozitën e tij. Por insistoj, kam frikë se ky është sezoni i tij i fundit të Barcelona. Siugurisht, diçka shumë e trishtë”; tha braziliani.