Një megaoperacion është realizuar nga karabinierët italianë në Catania duke shkatërruar një rrjet mafioz të lidhur me Cosa Nostra e duke çuar në pranga 101 persona në Itali.
Operacioni i quajtur ‘Skenderbeg’ kishte për synim goditjen e trafikut dhe tregtimit të drogës, e cila, përmes grupeve të ndryshme kriminale, ishte nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Cosa Nostra, ndërsa janë “fshirë” 12 “sheshet tregtare” në rrethin e San Giovanni Galermo.
Operacioni policor dërgoi në paraburgim 101 të dyshuarit, të cilët akuzohen, për krijim të shoqatës mafioze, krijimin e grupit kriminal që synon trafikimin dhe shitjen e drogës dhe armëmbajtje pa leje. Nuk dihet ende nëse ka ndonjë shqiptar të arrestuar apo të përfshirë në këtë grup.
Hetimi, i koordinuar nga Drejtoria e Anti-Mafia dhe e kryer nga bërthama operacionale e Karabinierëve në Catania, synon të shkatërrojë grupet e ndryshme kriminale që administronin “sheshet e tregtimit të drogës. Këto grupe gëzonin një autonomi të qartë për sa i përket kompetencës territoriale dhe menaxhimit organizativ, por që vepronin nën kontrollin e drejtpërdrejtë të grupit Nizza që i përkiste ‘familjes’ së Cosa Nostra Catania dei Santapaola-Ercolano.
