Mjeku reanimator Roland Xhaxho apelon qytetarët për zbatimin me rigorozitet të masave për parandalimin e COVID-19, pasi, siç u shpreh ai, situata është serioze.
Në një intevistë në medie, Xhaxho u shpreh se pacientët që shfaqen në gjendje të rënduar apo që kanë nevojë për intubim dhe frymëmarrje të drejtuar janë në një shifër të lartë. Ai theksoi se personat me sëmundje kardiovaskulare duhet të izolohen patjetër, pasi rrezikojnë shumë, të paktën deri sa të dalë një vaksinë për COVID-19.
“Edhe pse numri i personave pozitiv apo i viktimave është sot pak më i ulët, ne si reanimatorë marrim parasysh se sa kandidatë janë për t’u futur në reanimacion dhe respirator të drejtuar. Pavarësisht shifrave të ulëta, situata nuk është ashtu, pasi ka mjaft pacientë që janë rëndë dhe janë të intubuar dhe një pjesë e madhe mund të kalojnë në intubacion, pasi komplikacionet që virusi krijon janë të paparashikuara. Edhe pse mund të përdorim intubim të drejtuar dhe ata kanë një limit dhe se të intubuarit kanë një përqindje të lartë vdekshmërie, sidomos te pacientët që kanë patologji të tjera shoqëruese”, tha Xhaxho.
Xhaxho vuri në dukje se personat që kanë probleme kardiake kanë një rrezik të shtuar për t’u infektuar, ku për shkak të rezervave të pakta të vetë zemrës por dhe sulmit pulmonar (mushkërive) që bën virusi e kanë thuajse të pamundur ta përballojnë.
“Riskun më të madh e mbajnë pacientët me probleme kardiake. Për shkak të rezervave të pakta që ka vetë zemra, e bën jo shumë adekuate përballimin e COVID-19. Këto pacientë duhet të jenë në kontroll të mjekëve kardiologë dhe me çdo kusht duhet të jenë të izoluar, pasi në të kundërt virusi është shumë agresiv. Shpresa jonë është që të dalë vaksina dhe le të presim një apo edhe dy muaj dhe jam i sigurt që të parët që do vaksinohet janë moshat mbi 60 vjeç dhe moshat më të rrezikuara. Këto të shmangin daljen jashtë deri sa të dalë vaksina, në të kundërt do të sëmuren dhe do të drejtohen drejt spitaleve, ku për shkak të problematikave që hap ky virus nuk e përballojnë dot dhe vdekshmëria do të jetë e lartë”, tha Xhaxho.
