Herri Uinks ka qenë një nga protagonistët kryesorë të mbrëmjes së të enjtes për Totenhemin, në fitoren 4-0 ndaj Ludogorets që ktheu përsëri londinezët në shinat e duhura për të synuar kualifikimin e mëtejshëm në turne. Mesfushori shënoi nga mesfusha gjatë pjesës së dytë të takimit, duke mbyllur çdo diskutim për fatin e sfidës.
Një gol i mrekullueshëm, por që kishte ardhur gabimisht, siç pranoi me sinqeritet Uinks pas sfidës. Ai mori elozhe për atë goditje, por deklaroi se në ato moment po provonte të niste një pasim për Garet Bejl dhe jo të gjuante në portë.
“Do të dëshiroja shumë që të thosha se e bëra me qëllim, por nuk është ashtu. Unë pashë Bejl që po vraponte drejt zonës. Do ta pranoj si gol, por kjo ishte ajo që ndodhi”, tha Uinks.
Deklarata të sinqerta, por të cilat kanë acaruar pak Zhoze Murinjon, i cili pas duelit bëri të qartë se kërkonte prej lojtarëve të tij të tegoheshin pak më dinakë.
“Ai është shumë i ndershëm, nuk jam i lumtur me të! Ia thashë, një gol të tillë duhet të deklarosh që dëshiroje ta bëje. Por ai është një fëmijë i mbarë, është i ndershëm dhe tha të vertetën. Të isha unë, do të kisha thënë qëe bëra me qllim dhe do të fitoja çmimin “Pushkash” për golin e vitit”, tha duke qeshur Murinjo.
