Biznesmeni Arben Frroku i dënuar për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, rrezikon të mos ekstradohet në Shqipëri. Ndonëse nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet, avokati i Frrokut Tonin Prendi ka thënë për Ora Neës se Gjykata e Apelit në Hagë ka vendosur të refuzojë kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e biznesmenit.
Sipas avokatit, motivi i vendimit të gjykatës lidhet me pretendimet e Frrokut se nuk është autor i ngjarjes për të cilën akuzohet si dhe faktin se në Shqipëri nuk ka garanci për një proces të drejtë ligjor kundër tij për shkak të akuzave të motivuara politikisht. Arben Frroku u arrestua në Selanik të Greqisë pas vrasjes së Dritan Lamaj por e fitoi lirinë pasi gjykata e shkallës së parë i dha pafajësinë për atentatin ndaj zyrtarit të policisë në muajin shkurt të vitit 2013.
Ai u largua nga Shqipëria por u dënua në mungesë nga Gjykata e Apelit me burg të përjetshëm pasi prokuroria apeloi vendimin e pafajësisë të dhënë në gjykatën e shkallës së parë për krime të rënda. Pasi kaloi kufirin, Frroku u ndalua për 5 orë në Mal të Zi por më pas u lejua të largohet pasi rezultoi se emri i tij ishte lënë gabimisht në listën e personave në kërkim. Por pas vendimit të gjykatës së Apelit për Krime të Rënda biznesmeni u shpall sërish në kërkim dhe në 2016 ra në pranga në Holandë.
