Presidenti Armand Duka ka zhvilluar ditën e sotme një konferencën online, teksa iu është përgjigjur interesimit në lidhje me finalen e Ligës së Konferencave që do të zhvillohet në Air Albania në vitin 2022. Përveç temës së finales, Duka foli edhe në lidhje me kërkesat e klubeve në drejtim të qeverisë dhe faktit se këta të fundit ende nuk kanë bërë asnjë lëvizje. Ndërkohë, presidenti i FSHF, zbuloi se nëpërmjet impiantit të ventilimit dhe ndriçimit, do të provojnë të rehabilitojnë fushën e Air Albania, ndërsa nëse nuk ka përmirësime në muajin mars, do të kalohet në opsionin hibrid.
Lojë nga qeveria për të filluar garën, pasi nuk ka lëvizje për të plotësuar kërkesat? “Nuk dua ta mendoj kështu, rikthimi në fushë u bë me kontributin e Federatës, timin dhe të kryeministrit dhe të zgjidhim problemet si partner. Unë besoj se ka akoma ditë deri në 31 dhjetor për të zgjidhur kërkesat, që janë normale dhe janë minimum. Kryeministri e ka pritur mirë. Fondi për sportin nuk është shifër që cënon buxhetin shqiptar, e cënon shumë më pak se të tjerat. Shenja deri sot nuk ka pasur, le të mendojmë që qeveria ka pasur halle”.
Edhe kjo arritje si një kujtesë se sporti bën shumë për Shqipërinë, ka bashkëpunim edhe me bashkinë, hotelet? “Fillon që nesër për organizimin, në finale shihet vetëm maja e ajsbergut. Në përgatitjen e dokumentacionit kemi pasur bashkëpunim me institucione private, shtetërore. Ministria e Brëndshme, e Turizmit, aeroporti, të gjithë na kanë mbështetur se ky nuk është vetëm një event për futbollin, por edhe për Shqipërinë. Do flasim edhe në gjuhë ekonomike se sa fiton shteti nga futbolli dhe se sa mund të fitojë nëse krijohen kushtet e përshtatshme. Kam pasur premtimin e kryeministrit dhe kam besim se do ta bëjë, duhet të kishte sinjale”.
Objektivi i radhës? “Që prej ndërtimit të stadiumit ka qenë objektiv të sjellim një finale. Kemi mundësi të arrijmë shumë gjëra, kemi mundësi të shijojmë sërish Europian dhe po ashtu edhe klubet. Që të kemi nivele më të mira nga klubet, duhet një shtysë që e ka në dorë qeveria”.
Futbolli vendas mbetet pak mbrapa, prisni deri në 31 dhjetor. Çfarë ndodh më pas? “Unë personalisht nuk kam qenë për bojkot dhe nuk jam as në të ardhmen. Duhet të sensibilizojmë të bëjnë detyrën e tyre. Loja e futbollit nuk kërkon lëmoshë, por të bëjnë detyrën për atë që i kemi zgjedhur. Sporti, është kohë e vështirë, por e duam sportin dhe nuk është vetëm pasion por është shëndet dhe është nga degët e ekonomisë që mund të japë te shteti. Ajo që kërkojmë nuk do të thotë se ne do na çojnë në nivel maksimal menjëherë, por do të sigurojnë një mbijetesë dhe një të ardhme më të mirë dhe në zhvillime të tjera”.
Punë kolosale për këtë finale, në Greqi ka pasur polemika nga zëvendësminstri ku thuhet se finalja iu fal Shqipërisë pasi lëvizën stadiumet? “Në fakt, nuk e di se çfarë ka ndodhur në Greqi, nuk ka të drejtë ai që e ka thënë. Ne kemi qenë serioz dhe kemi demoinstruar se dimë ta bëjmë mirë, do ta bëjëm shkëlqyer. Ne jemi shqiptarë dhe kemi dëshirë kur na vijnë miq. Do ta shprehim se jemi të gëzuar kur na vijnë miq”.
Fusha duhet të jetë dinjitoze dhe është thënë të ketë fushë të re, kur fillojnë punimet? “Klima në Shqipëri është e mirë dhe dëshira të kishim bar natyral, nuk rezultoi e duhur se stadium është i mbyllur. Fusha nuk është e mirë për kampionatin shqiptar, por as për finalen. Nga java tjetër do të nisin punimet, do të vendoset një impiant ndriçimi që zëvendëson dritën e diellit. Do të vendoset edhe një impiant ventilimi. Nëse nuk do të ketë përmirësime deri në mars, do të kalojmë në hibrid. Kjo ka qenë e parashikuar për vitin e parë, nëse nuk ka përmirësim do provojmë, atëherë kalojmë në hibrid”.
Çfarë na avantazhoi për të organizuar finalen? “UEFA është insitucioni më i mirëorganizuar që ka Europa. Të gjithë anëtarët kanë ndjenjë të zhvilluar solidaritetit dhe duan të promovojnë lojën në çdo cep, për ta promovuar edhe Shqipërinë. Është më shumë një solidaritet dhe një besim që na e bën të mundur organizimin e ndeshjeve të tilla”.
Kushtet jo normale nga pandemia, i trembeni pjesëmarrjes së tifozëve? “As që dua ta mendoj që në 2022 të vazhdojmë të jetojmë të kufizuar. Jemi të informuar që vaksina thuajse ka filluar përdorimin dhe vitin tjetër të rikthehemi në normalitet dhe nuk do të shkojë më shumë se marsi që stadiumet të kthehen me tifozë. Nuk jam unë që vendos, por kemi informacion si të gjithë që jemi të informuar në këto kohë”.
Gjendja e Berishës? “Pandemia ka sjellë problem duke cënuar të ardhurat që ka futbolli shqiptar me mungesën e tifozëve, duke marrë parasysh nivelin e lartë që do të ishin në derbi. Vetëm shifrat e derbit janë të frikshme, kështu është cënuar direkt edhe nga mungesa e sponsorave apo reklamave. E gjithë ekonomia e ka ndjerë pandeminë, dhe futbolli financohet nga president apo kompani që po kalojnë ditë të të vështira. Uroj që brezat që do të vijnë të mos e përjetojnë kurrë. Sa i përket Etrit, uroj të shërohet sa më shpejt. Ka pasur simptoma, ndryshe nga të tjerët që kanë asimptomatike. Sot është e mirë gjendja, vetëm me pak temperaturë. Është në ditën e tetë dhe në javën e ardhsshme do ta kalojë”.
Përfitimet e klubeve shqiptare nga finalja dhe Liga e Konferencave pasi mund të kenë më pak të ardhura? “Konferencë Liga me të cilin marrin pjesë klubet shqiptare, të jep më shumë shanse të marrësh pjesë në grupe dhe të luajnë futboll europian të paktën deri në dhjetor, siç na mësoi Skënderbeu dikur”, u shpreh Duka.
