Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë sot në Asamblenë Politike të Partive Popullore Europiane, që zhvillonte punimet online. Në fjalën e tij, Basha u ndal veçanërisht tek situata e rënduar shëndetësore në vend dhe mungesa e masave për të menaxhuar situatën nga ana e qeverisë.
“Shqipëria ndodhet sot në krizë të thellë ekonomike, papunësia është rritur dhe shumica dërrmuese e qytetarëve nuk e perballojnë dot blerjen e medikamenteve anti-COVID, të cilat fatkeqësisht në Shqipëri, janë me çmime më të larta se në çdo vend tjetër. Ndihma e vendeve tuaja me vaksina anti-COVID, në çfarëdo sasie që të jetë, është mëse e mirëpritur, dhe ne do t’ju jemi gjithmonë mirënjohës. Vendi im dhe qytetarët e mi, jane në një situatë tejet të vështirë, e cila sa vjen dhe po përkeqësohet. Prandaj, ju lutem na ndihmoni në këto kohë tejet të vështira”, tha Basha.
Kryetari Basha pati po ashtu biseda të veçanta me përfaqësues të qeverive të vendeve anëtare të BE, ku kërkoi ndihmë për vaksinën anti-COVID, biseda që do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.