Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e ka cilësuar protestën e sotme si model dhe paqësore që mori edhe duartrokitjet e qytetarëve.
Në një postim në Facebook, Bardhi shkruan se kjo mbështetje që mori protesta nga qytetarët e ka tërbuar kryeministrin Edi Rama.
“Një protestë model, paqësore dhe që mori duartokitjen e qytetarëve që ndaluan makinat e tyre në trafikun e Tiranës gjatë kohës së marshimit drejt Drejtorisë së Policisë. Kaq ka mjaftuar dhe mbështetja e qytetarëve të Tiranës e tërboi sot Edi Ramën, duke i rrëzuar cilësimin 4 ditor , që i bënte të rinjve shqiptarë si “huliganë”dhe “të blerë”, shkruan Bardhi.
Bardhi thotë se urdhrin për të sulmuar protestuesit pa asnjë shkak është kriminal dhe provokon dhunë. “Helmimi masiv i Tiranës me gaz lotsjellës dhe dhuna ndaj fëmijëve është banditizëm shtetëror”, thotë Bardhi.
“Urdhri për të sulmuar protestuesit pa asnjë shkak është kriminal dhe provokon dhunë. Çdo pengesë për një protestë paqësore apo ndalimi i qytetarëve pa kryer asnjë akt dhune është i paligjshëm. Helmimi masiv i Tiranës me gaz lotsjellës dhe dhuna ndaj fëmijëve është banditizëm shtetëror.
Dhunën po e nxit Edi Rama. Arsyeja e vetme është frika që tashmë shumica e shqiptarëve nuk e pranon dhe po kundërshton arrogancën, dhunën dhe keqqeverisjen e tij 7 vjeçare. Ai është frymëzuesi dhe autori i shndërrimit të Policisë së Shtetit në një bandë që lufton qytetarët. Që pasi të vret, të pengon edhe të protestosh”, mbyll postin Sekretari i Përgjithshëm i PD.