Gjuetia për dy të rinj u kthye në tragjedi pasditen e të enjtes ku humbi jetën një 27-vjeçar, pasi u qëllua me armë zjarri çifte nga shoku i tij.
Ngjar a rëndë ndodhi në “Malet e Obokut” në Maqellarë ku Rifat Xheleshi qëlloi Gentian Kosiqin, pasi kishin dalë për gjah në fshatin e tyre të lindjes.
Në dëshminë e tij Xheleshi ka thënë se nuk ka parë asgjë pasi nuk e lejonte mjegulla.
“Nga ora 11:30 u nisëm nga Maqellara drejt fshatit Obok. Dola ashtu si herë të tjera me Gentianin. Në mal u ngjitëm për të vrarë ndonjë kafshë a shpend të egër. Ishim disa metra larg njëri-tjetrit. Dallova se në një shkurre përballë meje po lëvizte diçka. Mbusha armën dhe qëllova. Në fakt mjegulla nuk më lejonte të dalloja çfarë e lëvizte shkurren disa metra larg meje. Brenda pak sekondash dëgjova thirrjen e Gentianit: ‘Mos, mos, se më vrave’.
Hodha armën dhe mbërrita shpejt pranë shokut. Gati më ra të fikët kur pashë Gentin të plagosur. Njoftova shumë shpejt njerëzit e mi të afërt që të vinin në mal, por për shkak të rrugës shumë të pjerrët dhe largësisë ndihma Gentianit iu dha me shumë vonesë. Ai rënkonte pa pushim dhe ne ishim të pamundur ta shpëtonim”, është shprehur për Policinë Rifat Xheleshi, 18 vjeç, banor i fshati Obok, Maqellarë. Mirëpo pohimet e Xheleshit janë marrë me rezerva nga ana e hetuesve të ngjarjes. A.L
