Titulli kampion do të diskutohet vetëm mes Milanit, Interit dhe Juventusit, pasi skuadrat e tjera nuk do të arrijnë të mbajnë ritmin e tyre. Kjo është bindja e Fabio Kapelos, i cili sheh vetëm këto skuadra si pretendente për të çuar lart trofeun në fund të sezonit.
“Për titullin ka një garë treshe. Skuadrat janë të bandura për forcën e tyre, kanë gjetur një identitet, kanë krijuar imazhin e tyre”, shpjegoi trajneri, i cili u ndal më pas te ekipi që kryeson Serinë A, Milani.
“Te Milani ka qetësi, mungesa e publikut ka ndihmuar skiadrën të rritet dhe tani lojtarët kanë më shumë besim. Publiku në “San Siro” është kërkues dhe vë në vështirësi ata që nuk kanë shumë personalitet. Por tani edhe publiku do të argëtohej. Milani luan mirë, argëton dhe bën rezultate.
Ibrahimoviç ishte thelbësor që të rriste të gjithë, edhe mentalitetin. Ai i ka mbështetur në momentin kur ishte jashtë. Ta shohësh duke shtyrë djemtë të bëjnë më mirë është pozitive, do të thotë që është një kënaqësi për të të mësojë dhe të tregojë atë që ka mësuar vetë duke e vënë në dispozicion të skuadrës. Dhe në fushë bën diferencën. Por një meritë të madhe ka edhe Pioli”, ishin fjalët e teknikut për Milanin.
