Dita e sotme nuk kishte si të shkonte më keq për Juventusin. Fillimisht, bardhezinjtë mësuan se ndeshja e fituar në tavolinë ndaj Napolit do të riluhet, e më pas morën një leksion të mire nga Fiorentina që Ii mundi 3-0 në Torino.
Që në start u kuptua që nuk do të ishte dita e Juventusit, pasi bardhezinjtë e panë veten në disavantazh që në minutën e tretë pas një përgjumje të mbrojtjes. Pa kaluar as 20 minuta lojë, disavantazhit në rezultat iu shtua edhe ai në lojtarë në fushë, pasi Kuadrado u ndëshkua me të kuq pas një faulli të rëndë ndaj Kastrovilit, për më tepër në sulm.
Juventusi u mundua të reagonte me të zakonshmin Ronaldo që provoi me çdo mënyrë të shënonte. Por gafat në mbrojtje vazhduan dhe në pjesën e dytë erdhi autogoli i Aleks Sandro që komplikoi ndeshjen. Pak minuta më vonë, pas një tjetër gabimi në rreshtimin e prapavijës, erdhi edhe goli i tretë me ish-in Kaceres i cili finalizoi aksionin duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.
Kështu, Juventusi mundet dhe sheh veten që tani 7 pikë larg kreut, duke e bërë titullin kampion edhe më të vështirë për t’u përsëritur në një sezon ku skuadra nuk po shfaqet dominuese sa në sezonet e mëparshme dhe me shumë luhatje në rezultate.
