Mançester Siti është hakmarrë sot ndaj Arsenalit që e mundi vitin e kaluar në Kupën FA, duke eliminuar “topçinjtë” nga çerkefinalet e Kupës së Ligës e zhytur gjithnjë e më shumë në krizë ekipin e Mikael Arteta.
Gabriel Zhezus kaloi shpejt në avantazh Mançester Sitin, duke shënuar që në minutën e tretë të sfidës, por para fundit të pjesës së pare, shifrat u barazuan nga goli i Lakazet, që çoi në ekuilibër skuadrat në pushim. Iluzioni për Arsenalin do të zgjaste pak minuta në pjesën e dytë, pasi Mahrez dhe Foden shënuan dy herë pa kaluar 15 minuta nga fraksioni i dytë i lojës, për t’i dhënë një avantazh të ndjeshëm Sitit që mbylli sfidën me golin e 4-1 të shënuar nga Laporte, për të bërë formalitet minutat e fundit të sfidës.
Ndërkaq, ndeshja tjetër çerekfinale ka pasur një surprizë, pasi Njukasëlli i Premier Ligës është eliminuar nga Brentford i Championship. Skuadra e cila ka tejkaluar çdo parashikim në kategorinë dytë angleze duke qenë në garë për ngjitjen në elitë, fitoi 1-0 dhe shkoi në gjysmëfinale falë golit të Dasilva në pjesën e dytë të duelit.
