Josif Kavaja, 45-vjeçari që terrorizoi Elbasanin duke kërcënuar policinë me shprehjen “Do ju vras”, është neutralizuar mëngjesin e sotëm në banesën e tij nga policia.
Ai u arratis menjëherë pas të shtënave ndaj policisë bashkë me armën që mbante në dorë në drejtim të një zone të pyllëzuar ku dhe humbi gjurmët.
Ai ishte denoncuar disa herë nga banorët e zonës, pasi qëllonte herë pas here me armë në ajër dhe ata ndjeheshin të rrezikuar. Policia i kishte shkuar në shtëpi për kontroll më herët, por nuk i kishte gjetur armë.
Ndërsa dje, shërbimet e rendit kanë shkuar sërish për kontroll, por kësaj here janë përballur me të shtënat. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar. I dyshuari, mësohet të jetë person me precedentë penal dhe ishte depërtuar pak kohë më parë nga Anglia. Ai jetonte i vetëm në fshatin Seltë, pasi familja e tij ishte shpërngulur nga aty.
