Në SHBA, Administrata Federale e Aviacionit tha të hënën se po nxjerr rregulloret e shumëpritura për të lejuar dronët e madhësisë së vogël të fluturojnë mbi zonat e banuara edhe gjatë natës, një hap i rëndësishëm drejt përdorimit të tyre për dërgimin në masë të pakove postare nga kompanitë.
Administrata e Aviacionit ka kërkuar gjithashtu për arsye sigurie identifikimin në distancë për shumicën e dronëve.
“Rregullat e reja hapin rrugën për integrimin e mëtejshëm të dronëve në hapësirën tonë ajrore duke mbajtur parasysh njëkohësisht shqetësimet e sigurisë”, tha drejtuesi i Administratës Federale të Aviacionit Steve Dickson në një deklaratë. “Ata na afrojnë më shumë me ditën kur do të shohim në mënyrë më rutinë operacione të tilla dronësh, si shpërndarja e pakove postale.”
Ndërkohë, mes kompanive vazhdon gara për të krijuar skuadrilje të tëra dronësh për të shpejtuar dërgesat postare.
Për operacionet gjatë natës, Administrata e Aviacionit tha se droni duhet të jetë i pajisur me drita kundër përplasjes. Rregullat e fundit lejojnë, në rrethana të caktuara, fluturimet edhe mbi automjetet që lëvizin.
Identifikimi në distancë kërkohet për të gjithë dronët që peshojnë një çerek kilogrami e sipër, por në rrethana të caktuara kërkohet edhe për dronët më të vegjël, si në rastet kur ata fluturojnë mbi grumbullime njerëzish.
Një kërkesë e re është që dronët e vegjël të mos kenë pjesë rrotulluese të ekspozuara që mund të çajnë lëkurën e njeriut.
Kompania United Parcel Service tha në tetor 2019 se fitoi miratimin e parë të plotë të qeverisë për të operuar një kompani ajrore me dron.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi 60 ditë pas publikimit të tyre muajin tjetër. Kompanitë e dronëve do të kenë 18 muaj kohë për të filluar prodhimin e dronëve me identifikim në distancë.