Thomas Strakosha dukej se do të kishte të sigurt praninë e tij në katërkëndorin e Lacios për vitet në vijim. Portieri shqiptar kishte gjithçka në favorin e tij, duke filuar nga aftësitë që tregon herë pas here në momente vendimtare, për të vazhduar me moshën që e lejon të përmirësohet vit pas viti. Por gjithçka ka ndryshuar në pak muaj dhe tani në mediat italiane hipotetizohet edhe një largim i mundshëm në fund të sezonit.
Strakosha e nisi edicionin si titullar, duke pasur Pepe Reinan si zëvendësues. Por disa paraqitje jo bindëse dhe pastaj infektimi me COVID-19 bënë që ai të humbiste vendin e titullarit që tani i ka kaluar Reinas dhe në klub duket se nuk kanë në plan që të ndryshojnë së shpejti, duke trajtuar spanjollin si portier parësor. Në mediat italiane parashikojnë që Reina të qëndrojë të paktën edhe sezonin e ardhshëm, por nuk është ky shqetësimi kryesor i Strakoshës.
“Calciomercato.com” bën të ditur se Lacio ka hyrë në garë për një nga emrat më të kërkuar aktualisht mes portierëve në Europë. Rui Silva, portieri i Granadës, në qershor do të jetë lojtar i lire pasi i mbaron kontrata me klubin spanjoll. Roma, Inter apo Sevilja janë vetëm disa prej klubeve që janë vënë në ndjekje të portierit, por raportohet se edhe Igli Tare po bëhet gati që t’i bëjë ofertën e tij në janar duke e planifikuar si përforcim të mundshëm në verë.
Nëj lajm që tregon se Lacio po mendon të përforcojë portën dhe se për Strakoshën, e ardhmja nuk do të jetë më edhe aq e sigurt. Të njëjtat burime sqarojnë se Strakosha nuk e mendon aktualisht largimin nga Lacio, por nëse Reina vazhdon dhe në verë afrohet edhe Rui Silva, atëherë për të do të bëhej gjithnjë e më e vështirë që të kthehej titullar te Lacio, duke e bërë transferimin e tij një hipotezë reale.
