Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka folur për marrëdhënien e tij me kryeministrin Rama, për të cilën është shprehur se ka qenë e njëjtë si në opozitë por edhe në qeveri.
Ai u shpreh se e falenderon Ramën që i ka dhënë mundësinë të drejtojë për 2 mandate qarkun e Korçës, ndërsa shtoi se ka shumë persona që e meritojnë të tregojnë veten në poste të rëndësishme.
“Marrëdhëniet personale dhe institucionale janë shumë të mira. Nuk kam patur asnjëherë, asnjëherë asnjë lloj lëkundje, ndonëse besoj pyetja juaj lidet me faktin që unë për një farë kohe nuk kam qenë në kabinet. Shpeshherë ma bëjnë këtë pyetje dhe më duket çudi që ma bëjnë këtë pyetje. Sepse kush mund të pretendojë se është i përjetshëm dhe i përhershëm. Këtë nuk e them se e do rasti, por e besoj fort.
Ne nuk jemi të pazëvendësushëm. Ka shumë të tjerë që meritojnë të tregojnë veten. Marrëdhënia ime me kryeministrin ka qenë e njëjtë si kur kemi qenë në opozitë dhe kur kam qenë zëvendësi i tij. Kam qenë për 2 mandate drejtues politik i qarkut të Korçës dhe i jam mirënjohës që më ka besuar mua të drejtoj punët në një qark të rëndësishëm të vendit tonë”, tha Peleshi.
Për sa i përket marrëdhënieve me ish-kryeministrin Berisha, i cili e ka vlerësuar Peleshin për punën e bërë në bashkinë e Korçës, ministry tregoi se në atë kohë e ka pritur Berishën 4 herë në zyrën e tij.
“Marrëdhënie me ish-kryeministrin s’kam më, u bë një dekadë. Kur kam qenë kryetar bashkie jam përpjekur të kem marrëdhënie shumë të mira edhe me pozitën e asaj kohe në qeverinë e Berishës. Unë kam drejtuar në kushte të vështira pasi nuk kam marrë grante nga qeveria. E kam pritur 4 herë në zyrë kryeministrin e asaj kohe”, tha ministri.
