Largimi i ish ministrit të Drejtësisë Nasip Naço me Partinë Socialiste shkaktoi reagime të forta në skenën politike. LSI reagoi duke thënë se është koha e të rinjve për këtë parti.
Por largimi i tij shtoi zërat se nga LSI do të kishte të tjera rrjedhje e një prej tyre që përflitej është ish ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto.
Naço dhe Haxhinasto janë krushq teksa vajza e këtij të fundit është fejuar me djalin e ish ministrit të Drejtësisë.
Megjithatë në mbledhjen e sotme në njësinë nr. 4 me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, Haxhinasto la të kuptohet se nuk do të largohet nga kjo parti.
“Është një kënaqësi t’ju takoj, pasi e di që jeni një organizatë shumë aktive dhe e zjarrtë. Absolutisht kështu është që problemet që duhet të zgjidhim janë të jashtëzakonshme. Sfidat që ka Shqipëria sot janë të jashtëzakonshme, ndoshta si asnjëherë tjetër. Kam parasysh veçanërisht shpopullimin e vendit, largimin e rinisë dhe kur largohet rinia, largohet e ardhmja e një vendi, kështu që një nga objektivat kryesore të gjithë programit tonë dhe gjithë veprimtarisë së LSI-së është pikërisht që të merret me këtë problem, me problemin e shpopullimit të vendit”, tha Haxhinasto në takimin e zhvilluar sot me banorët e njësisë numër 4 të Tiranës.
