Kandidati për President nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë prezantimit të programit qeverisës, ka folur edhe për disa tema të hapura e për të cilat përgjegjës e ka bërë Bashkimin Evropian.
Haradinaj ka thënë se do të jetë përkrahës i të gjitha institucioneve të vendit që janë në shërbim të vendit. Ai ka shtruar një pyetje të hapur se çfarë do të ndodh pas katër apo pesë viteve nëse nuk ka progres në Kosovë.
“Kam një pyetje të hapur për të gjithë ju. Çka ndodh pas katër ose pesë viteve nëse nuk ka progres në Kosovë, dhe duhet ta kuptoni saktë pse po e bëjë këtë pyetje. Nëse Kosova nuk është në dyert e NATO-së, e nëse Kosova nuk ka liberalizim të vizave nga BE-ja, nuk ka njohje nga pesëshja e BE-së dhe na mbajnë vjerrë si na kanë mbajtur deri tash, e nëse nuk jemi në dyert e OKB-së çka ma andej, a do ta pranojmë atë që janë munduar me më bindë mua se Kosova është e lodhtë, e dobët, nuk mund BE të ketë Ushtrinë, pavarësimin energjetik, ligjin për Trepçën, se duhet të ulemi ne dialog me u nda me Serbinë në mënyrë që çka të jetë me fitu pavarësinë. A duhet pranuar ky epilog njëherë në Kosovë, dhe kush mund ta pranojë këtë epilog, dhe nëse jo, atëherë çka..? A duhet të pranojmë se jemi në konflikt të ngrirë siç po thotë Vuçiqi nganjëherë atje?”, ka pyetur Haradinaj.
Haradinaj tha se Kosova nuk mund të pres derisa të tjerët të kenë disponim për të përfunduar shumë tema të hapura.
“Do të vjen ajo ditë që do të duhet me ditë presidenti i ri amerikan, kancelarja ose kancelari i ri gjerman, se çka do t’i thonë Kosovës në vitin 2024, 2025, apo 2026, a kanë me i thënë rrini e pritni se kemi me bë diçka me juve. Nuk kemi pranuar të mbetet as konflikt i ngrirë , e as nuk kemi pranuar ndarjen, por kemi për të shkuar në referendum për bashkim me Shqipërinë, mbajeni në mend këtë, jo se ne po duam, por që 20 vjet i kemi dhënë fjalën perëndimit që po duam të respektojmë një vizion të përbashkët për një Kosovë euro-atlantike në BE dhe në NATO”, është shprehur Haradinaj.
