Mediat e huaja po e ndjekin pah pas hapi ceremoninë e inagurimit të Presidentit të ri të Amerikës, Joe Biden. Ky i fundit mbërriti në Uashington me një çarter, raporton Daily Mail. Kjo për shkak se Donald Trump refuzoi që t’i dërgonte atij një avion të Air Force.
Kjo lëvizje ishte ndoshta e fundit nga Trump, i cili nuk e njeh pasuesin e tij si fitues të zgjedhjeve. Në kontrast, në vitin 2017, Obama i dërgoi familjes Trump një avion të Air Force.
Por vendimi i Trump për të mos marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Biden do të krijojë edhe probleme serioze logjistike.
Sipas Daily Mail, ai pritet ta marrë me vete në Florida valixhen e kodeve bërthamore.
Si rregull, gjatë inaugurimit dorëzohet edhe valixhja bërthamore. Tashmë do të duhet që valixhja të rikthehet nga Florida për në Uashington.
Ekspertët thonë se valixhja, me shumë mundësi, do të udhëtojë me Trump, çka do të thotë se në një moment, do të ketë dy valixhe të ndryshme në dy vende të ndryshme. Do të jetë një sfidë e veçantë që kalimi i pushtetit të bëhet në mënyrë sa më të rrjedhshme.
Ndryshe nga sa mendohet gjerësisht, valixhja nuk ka një buton, apo kode, që mund të nisin automatikisht një armë bërthamore. Aty gjenden pajisje dhe autorizime që Trump mund t’i përdorë për të urdhëruar nisjen e një sulmi.
“Ekzistojnë të paktën tre-katër valixhe identike. Një ndjek presidentin, një ndjek zëvendëspresidentin dhe një qëndron e ruajtur, për t’iu dorëzuar pushtetarit më të lartë në evente si inaugurime apo fjalime në Kongres”, thotë për CNN Stephen Schwartz, nga “Buletini i Shkencave Atomike”. “Më 20 janar, Biden do të marrë ose valixhen e Pence, ose ndonjë tjetër, të përgatitur nga Zyra Ushtarake e Shtëpisë së Bardhë enkas për të”.
Gjithashtu, presidenti duhet të ketë gjithmonë me vete një kartë plastike, të quajtur “biskota”, e cila përmban një kod me germa dhe numra për ta identifikuar presidentin, i cili ka autoritetin e vetëm ligjor për të urdhëruar një sulm bërthamor. Në Kushtetutën amerikane thuhet specifikisht se Trump ka autoritet të plotë ndaj arsenalit bërthamor deri në sekondën e fundit para betimit të Biden.
“Sipas Amendamentit të 20 – dhe në mungesë të evokimit të Amendamentit të 25-të që do të bënte Pence president në detyrë – Donald Trump është president i Shteteve të Bashkuara deri në orën ekzakte 11:59:59 të 20 janarit”, thotë Schwartz. “Nëse ndihmësi ushtarak do të udhëtojë me Trump në Florida, saktësisht në orën 12:00 të datës 20 ai do të largohet nga Trump dhe do të rikthehet në Uashington me valixhen me vete”.
Pas këtij momenti, Trump nuk do të ketë më autoritet dhe kodet e tij do të çaktivizohen. Kjo fuqi, do t’i kalojë presidentit të ri, Biden.
Trump do jetë presidenti i katërt në histori që nuk merr pjesë në inaugurimin e pasuesit- dhe i pari që nga viti 1869.
