Policia e Tiranës bën të ditur se ka nisur hetimet në gjendje të lirë për dy persona, punonjës të shkollës jopublike ku një ditë më parë pati rrjedhje gazi në sistemin e ngrohjes.
Sipas policisë, ata kanë vënë në funksion sistemin e kaldajës me gaz pa marrë miratimin e Inspektoratit Shtetëror Teknik e Industrial. Për pasojë gjashtë nxënëse u dërguan në spital me probleme shëndetësore, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit B. S., 34 vjeç dhe E. D., 36 vjeç, pasi në rrugën “Don Bosko”, në ambientet e një shkolle jopublike, këta shtetas kanë vënë në funksionim sistemin e kaldajës me gaz, pa marrë më parë miratimin e Inspektoratit Shtetëror Teknik e Industrial dhe si rrjedhojë e rrjedhjes së gazit nga depozita e gazit të sistemin të ngrohjes, 6 nxënës të kësaj shkolle kanë patur probleme shëndetësore, jashtë rrezikut për jetën”, thotë njoftimi zyrtar.
