Keidi Bare është një nga pikat më të forta të Espanjol në Segunda Division. Mesfushori i kombëtares ka rezultuar një transferim i goditur nga katalanasit që pretendojnë këtë sezon të ngjiten në elitën e futbollit spanjoll.
Së fundmi, prestigjiozja AS ka vënë re disa detaje të cilat kanë ndryshuar në lojën e Bares nga vjet kur ishte te Malaga. Kështu, mesfushori është bërë më pak agresivë në lidhje me kartonët e shumtë që merrte teksa nuk është ndëshkuar ende me të kuqe në 11 ndeshje dhe ka marrë vetëm një të verdhë.
Nga ana tjetër, në ndeshjet e fundit, Bare ka nisur të përmirësohet edhe në aspektin e topave të humbur, duke arritur në sfidën ndaj Kastelon ku gaboi passim në vetëm tre raste. Ndaj, te AS theksohet se Espanjol ka fituar një futbollist në moshë 23-vjeçare i cili pritet të përmirësohet me kalimin e kohës.
