Kreu i Kadastrës së Beratit Ervin Nelaj u arrestua dy ditë më parë nga policia me kërkesë të SPAK, pasi gjatë hetimeve disa mujore ka rezultuar se përvetësoi shuma të caktuara parash duke nxjerrë leje legalizimi të ndërtimeve pa leje në shkelje të ligjit.
Nelaj akuzohet nga SPAK duke u bazuar në përgjime dhe dokumente se në disa raste ka marrë para duke miratuar legalizimin e ndërtimeve pa leje edhe pse ligji nuk ia lejonte.
Abcnews zbardh dosjen e SPAK në ngarkim të Nelajt, ku prokurorët kanë listuar akuzat si edhe provat, me të cilat ata pretendojnë ta mbyllin pas hekurave për disa vite me akuzën “Korrusion pasiv i personave që ushtrojnë detyra publike”.
Në dosje është përgjimi i Nelajt me një vartësen e tij, ku sipas SPAK ata flasin për një shumë parash që punonjësja duhet t’ia lejë shefit në tavolinën e tij pasi “kishin mbaruar punë” me legalizimin e një ndërtimi pa leje.
Sipas SPAK, Nelaj e udhëzon vartësen e tij se si të veprojë për mbylljen e dokumentacionit dhe nxjerrjen e lejes së legalizimit.
“Mbaji çik këto se unë i prish. Lëri tek sirtari aty poshtë”, është përgjuar në një bisedë Nelaj me vartësen e tij. SPAK pretendon se objekti i bisedës është një shumë parash, për të cilat Nelaj e udhëzon punonjësen që t’i lërë tek sirtari.
