Koreografi Albi Nako u vu në qendër të mediave rreth dy javë më parë pas një deklarate që bëri në spektaklin ‘Juste Dance’ me një nga konkurrentet.
Ai u komentua negativisht në rrjet, ndonëse Albi e sqaroi se ata njiheshin prej 15 vitesh dhe gjithçka ishte në kuadër të shakasë.
Në një lidhje “Skype” për Wake Up, Albi Nako sqaroi edhe njëherë incidentin që bëri xhiron në rrjetet sociale. Ai theksoi se ende vazhdon të marrë mesazhe negative pas asaj deklarate.
“E vërteta është se nuk e di nëse në Top Channel hyra me këmbën e djathtë apo të majtë. Në atë emision, bëra një marrëveshje të plotë me konkurrenten sepse njihemi prej 15 vitesh dhe lëshova atë batutë.
Është e kollajshme që në çdo intervistë, të marrim poza sikur marrim rolin e akademikut. Unë mundohem të jem vetvetja. Prisja të kishte reagim minimalist, por batuta ime ndaj konkurrentes ishte galaktike dhe u ndesha me një sërë ofendimesh.
Ajo çfarë më bëri përshtypje është se shkuan deri në mallkime. Kam marrë mesazhe nga më të ndryshme, u mërzita dhe thashë si mund të ketë kaq shumë urrejtje. Edhe sot e kësaj dite më vijnë mesazhe. E kuptoj që jemi popull i trysnuar dhe i toksikuar nga hallet, por vjen një moment i caktuar që godet dikë pasi i sheh gjërat nga vrima e çelësit.
Unë asaj vajze doja ti bëja një promo sepse e njoh prej vitesh. Është e vuajtur dhe është mësuese gjimnastike në Korçë dhe i thashë që do të të them një batutë të tillë dhe patëm një marrëveshje”, sqaroi ai.
Deklarata e Albit për Belën që shkaktoi furtunë në rrjet ishte: “Më dukesh si te filmi Planeti i Majmunëve, me moshën që ke më mirë ik martohu e bëj fëmijë”.
