Dje opozita organizoi një protestë të dhunshme para Kryeministrisë.
Për pesë orë, protestuesit u përplasën herë pas here me policinë në tentativë për të hyrë brenda godinës së Kryeministrisë. Për t’i zmbrapsur protestuesit, policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës ndaj tyre.
Lëndët e çliruara nga këto të fundit shkaktuan dhjetëra të lënduar, e disa humbën ndjenjat nga asfiksia.
Por, mes të lënduarve pati edhe shumë përfaqësues të mediave, gazetarë, fotoreporterë, operatorë.
“…E si sot, nuk kam ndjerë më parë të më dridhet zemra nga frika e të më rrahë po aq fort nga krenaria për kolegët e mi, që mes zjarrit e tymit, gazit lotsjellës e shashkave, qëndruan në krye të detyrës, si heronjtë e vetëm të asaj proteste.
Gazetaria është më shumë sesa profesion dhe pak më pak se çmenduri, guxim dhe pasion”, shkruan gazetarja e Klan, Rashela Shehu.
Më poshtë, ju sjellim momentet kur gazetarët dhe operatorët raportojnë dhe punojnë mes turmës së revoltuar dhe përplasjes mes tyre dhe policisë.