Futbolli argjentinas vazhdon të regjistrojë tragjedi të njëpasnjëshme në këto muaj. FIllimisht ishte vdekja e ikonës botërore Diego Maradona e më pas ajo e ish-trajnerit të përfaqësueses Ajehandro Sabeja. Sot, mediat argjentinase kanë bërë të ditur lajmin se një tjetër ikonë e futbollit në vend ishte ndarë nga jeta, si pasojë e COVID-19.
Leopoldo Jasinto Luke, ish-sulmuesi i njohur në vitet 70’, ka humbur betejën e tij me COVID-19, pas rreth një muaji i shtruar në spital në gjendje të përkeqësuar. Gjendja e ish-lojtrait 71-vjeçar ishte rënduar shumë në ditët e fundit dhe sot u dha lajmi i trishte se ai e kishte humbur këtë “ndeshje”.
Luke do të kujtohet nga tifozeria argjentinase sidomos për pjesëmarrjen e tij në Botërorin e vitit 1978 ku ylli ishte Mario Kempes, por ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm për t’i dhënë trofeun kësaj përfaqësueseje që mundi Holandën e futbollit total. Luke shënoi 4 gola në atë aktivitet, duke u shpallur golashënuesi i dytë më i mirë i turneut.
