Në ditën ndërkombëtare të Gruas në Krushë të Kosovës është përuruar “Kooperativa Bujqësore Krusha”, një projekt ky i financuar nga Bashkimi Europian dhe me kontributin e disa bizneseve vendore, të koordinuara nga Ambasada e Shqipërisë.
Në ceremoni ishte i pranishëm dhe vetë ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi.

“Sot më shumë se kurrë, vuajtjet, dhembja, sakrifica e grave të Krushës u shpërblye. Gati 5 vjet më parë, ky projekt ishte një ëndërr, të cilën vetë Fahrie Hoti, heroina dhe shembulli i gruas së pamposhtur, që nuk u dorëzua kurrë, nuk besonte se do bëhej realitet. Me mjediset e reja bashkëkohore, të denja siç i ka hije, gratë e Krushës do të kenë mundësinë të mbajnë familjet, të rrisin fëmijët e të kontribuojnë në zhvillimin e zonës”, thuhet në njoftimin e ambasadës shqiptare në Prishtinë.

