Ministrja e Financave, Anila Denaj tha se për të rritur të ardhurat në buxhet duhet që të luftohet informaliteti dhe evazioni fiskal tek biznesi i mesëm dhe i madh dhe jo të taksohen më shumë rrogat e shqiptarëve. Në një intervistë për ‘Repolitix’, Denaj tha se me taksën e sheshtë 9 % që propozon opozita do ta vuanin në kurriz shqiptarët që kanë rroga të ulëta. Denaj sqaroi se duke filluar nga 1 janari 2022 rrogat deri në 400 mijë lekë nuk do të taksohen, ndërsa nga 400-2.5 milionë lekë do të letë uljet të taksimit duke vendosur 13 % dhe mbi 2.5 milionë lekë do të taksohen me 23 %.
Denaj sqaroi edhe faktin se kjo fashë e re taksive nis në janar 2022 pasi efektet buxhetore që sjellin këto politika nuk mund të llogariten në mes të viti, por diskutohen tani, miratohen në buxhet dhe më pas vihen në aplikim dhe për këtë tregoi edhe shembullin e taksës zero për biznesin e vogël me xhiro nga 0-14 mln lekë duke thënë se edhe pse u vendos në verë të 2020, nisi aplikimin në janar 2021.
“Problem është informaliteti te biznesi i mesëm dhe madh. për të gjithë shqiptarët që marrin paga të ulëta do të ketë një zgjerim të fashës me taksim 0 që do të jetë deri në 400 mijë lekë dhe për shtresën e mesme do të ketë ulje të taksimit deri në 13 % , ndërsa taksa 23 % do të jetë për shtresën e lartë që marrin rroga mbi 2.5 mln lekë. Më 1 janar biznesi i vogël nga 0-14 mln lekë ka zero taksë, këtë e vendosëm në verë dhe aplikuam tani. edhe për taksimin e rrogës minimale nuk e bëmë këtë janar pasi efektet buxhetore nuk mund të llogariten në mes të vitit, pasi janë politika që kanë efekt buxhetor, duhet të futen në buxhet, të diskutohen dhe të miratohen në Kuvend. Ne e kemi bërë fakt ndryshimin e fashave të taksimin edhe kur nuk ka qenë fushatë elektorale. Nëse duam më shumë të ardhura në buxhet duhet të luftohen evazioni fiskal dhe jo të behën në kurriz të shqiptarëve me taksat ndaj tyre”, tha Denaj.
Ministrja Denaj foli edhe për emigrantët duke thënë se qeveria ka vendosur bonus prej 5 mln euro për këdo që do të vinte në Shqipëri dhe të niste një sipërmarrje, pasi në fokus nuk është vetëm zhvillimi por dhe investimi i dijeve dhe kulturës së tyre të biznesit.
“Ne kemi një grant prej 5 mln euro për emigrantët që do të investojnë në Shqipëri, pasi vendi ynë ka resurse të pa shfrytëzuara dhe do të ishte shumë mirë që ata që janë arsimuar jashtë të kthehen dhe ti venë këto resurse në zhvillim. Kjo pasi qeveria do ‘trurin’ e tyre pasi ata kanë krijuar një tjetër kulturë të biznesit”, tha Denaj.