Protestat në Gjermani kundër masave anti-Covid, janë kthyer të dhunshme. Sipas CNN, mijëra njerëz janë përplasur me policinë në Kassel të Gjermanisë. Një zëdhënës i policisë lokale tha se 15,000-20,000 njerëz kishin marrë pjesë në protestë.
Trazirat filluan kur protestuesit u mblodhën në Sheshin Friedrichsplatz, pa maska mbrojtëse dhe duke mos respektuar distancën, ata u përpoqën të çajnë kordonin policor për t’u bashkuar me një grup të protestuesve. Nga ana tjetër forcat e policisë u munduan të shpërndanin turmën duke përdorur piper.
Në zona të tjera të qytetit, policia ka përdorur shkopinj dhe ka qëlluar me ujë ndaj protestuesve, të cilat u përpoqën të thyenin kordonin, duke hidhur shishe drejt tyre.
Protestat u organizuan nga lëvizja Querdenker (“Anti-konformist”), e cila që nga fillimi i pandemisë ka mbajtur shumë demonstrata të mëdha kundër masave në Gjermani.
