Nga Carlo Bollino
Në vitin 1998 Berisha tentoi puçin dukë përdorur tanket, 21 vjet më pas Basha e provon përsëri duke përdorur shantazhin institucional. Tani që plani u zbulua, mbetet vetëm të kuptohet se në ç’mënyrë dhe cili do të zgjedhë të tërhiqet.
Në më pak se
72 orë Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi morën 6 dënime nga komuniteti
ndërkombëtar: një rekord që tremb edhe një ujk të vjetër të politikës si Sali
Berisha, të cilit gjatw puçit tw 14 shtatorit 1998 i mjaftoi një telefonatë e
vetme nga ambasadorja amerikane Marisa Lino për ta degdisur në fund të një
liste të zezë diplomatike, nga e cila, shkallë pas shkalle, arriti të dalë
vetëm 7 vjet më pas. Pas tentativës së dështuar për të sulmuar selinë e
Kryeministrisë gjatë protestës së 16 shkurtit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe OSBE e akuzuan opozitën për dhunë të
patolerueshme ndaj pronës publike, duke vlerësuar lart reagimin e Policisë: një
mesazh shumë i qartë, i cili në fakt lejoi pak orë më vonë arrestimin e 16
demonstruesve të dhunshëm, çka nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Basha, i
pazoti që të lexojë mes rreshtash paralajmërimin diplomatik, vendosi të shkojë
edhe më tej, duke kapërcyer një vijë të kuqe të pakalueshme: të digjen mandatet
parlamentare.
Një lëvizje e dëshpëruar, që nuk ka precedent në asnjë demokraci moderne, ku
mund të ndodhë që të japë dorëheqjen qeveria, por kurrë opozita. Që dje,
zëdhënësja e Bashkimit Evropian dënoi pa lëkundje këtë vendim, por ka qenë
reagimi i ambasadës amerikane ai që e shkatërroi planin kërcënues të Lulit dhe
Monikës. Pasi u konsultua me Departamentin e Shtetit, më 19.00 fiks në Tiranë
(ora 13.00 në Uashington) mbërrin deklarata zyrtare e ambasadws sw Shteteve të
Bashkuara: “Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim
dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament,
minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që
Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme”.
Vlerësimi i
një “qeverisjeje të përgjegjshme”, konsideruar nga Departamenti i Shtetit si
një rezultat i arritur që duhet të ruhet, tingëllon si një përgënjeshtrim
publik i përkufizimit si narko-qeveri, mbi të cilin ka bazuar retorika e
opozitës aksionin e saj, dhe si një mbështetje e hapur për Edi Ramën. Por duke
kuptuar se as Luli dhe as Monika nuk janë më në gjendje të dëgjojnë, ambasada i
kapërcen ata, duke iu drejtuar drejtpërsëdrejti deputetëve të tyre: “Shtetet e
Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret
politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë
idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë.
Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni
privilegjin t’u shërbeni”. Mesazhi është krejtësisht identik me atë që, në
vigjilje të votimit të reformës gjyqësore, kur sërish Basha dhe Berisha bënin
teka duke kërcënuar se nuk do ta votonin në seancë, ambasadori Donald Lu i
thirri një nga një deputetët e opozitës dhe u shpjegoi në mënyrën amerikane
pasojat personale tw atij gjesti. Parimi në demokraci është që çdo deputet
përgjigjet personalisht për veprimet e tij, kështu që ftesa për të mos iu
bindur urdhërave të partisë edhe sot është një përmendje e qartë e
përgjegjësive personale të parlamentarëve. Nëse Marisa Lino hapi listën e zezë
vetëm për Berishën dhe ndonjë prej bashkëpunëtorëve të tij, këtë radhë në
listën e zezë amerikane rrezikojnë të përfundojnë dy grupe të tëra
parlamentare.
Me vendimin
për të djegur mandatet, Lulzim Basha i hyri sërish zbatimit të një plani të
lënë përgjysmë në prag të zgjedhjeve të 2017-ës. Edhe atëhere, nga cadra,
provoi të përmbyste tavolinën për të shmangur me çdo kusht ndeshjen elektorale.
Pa mundur të digjte mandatet e një parlamenti tashmë në përfundim, kërcënoi me
bojkotimin e kutive të votimit nëse nuk do të krijohej një qeveri teknike e
përshtatshme për të garantuar zgjedhje të lira dhe tw ndershme. Për çudi, Rama
pranoi, por siç ishte parashikuar, sërish Basha humbi. Tani që po afrohen
zgjedhjet vendore, Basha provon sërish dhe, për të shmangur rrezikun e një
disfate të katërt elektorale, që do të vinte në dyshim rolin e tij në krye të
PD-së, luajti kartën e dëshpëruar të sabotimit total.
Të djegësh mandatet në fakt nuk do të thotë vetëm të braktisësh punimet e
Parlamentit (çka në fakt opozita po e bën prej shumë muajsh) dhe të mos marrësh
pjesë në zgjedhjet vendore, por do të thotë të tentosh të përmbysësh bazat e
demokracisë. Do të thotë të zbrazësh vetë kuptimin e zgjedhjeve pasi, nëse
fiton shantazhi i tij, nga nesër e tutje cilado forcë politike që humb në
votime do të kishte të drejtën legjitime të digjte mandatet e veta
parlamentare, duke e lënë vendin në mëshirë të anarkisë. Do të thotë të tentosh
nëpërmjet shantazhit t’i imponosh shumicës kushtet dhe rregullat e vendosura
nga pakica dhe kjo është e papranueshme për çdo shtet modern. Në vitin 1998
Berisha tentoi puçin dukë përdorur tanket, 21 vjet më pas Basha e provon
përsëri duke përdorur shantazhin institucional. Tani që plani u zbulua, mbetet
vetëm të kuptohet se në ç’mënyrë dhe cili do të zgjedhë të tërhiqet.