Pandemia e Covid-19 ka ndikuar ndjeshëm në aktivitetin e bizneseve, që prej muajit mars kur vendi hyri në karantinë totale dhe në muajt e mëpasshëm, si rrjedhojë e ndryshimit të tendencave të konsumit dhe të frenimit të tij.
Sipas INSTAT, për 9 mujorin 2020, ekonomia është tkurrur me 5.52%, me rënien më të lartë që u shënua në të dytin (-10.2), ndërsa në të tretin me -3.47%.
Ecuria e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për tremujorin e katërt pritet të publikohet në fund të marsit, por statistikat afatshkurtra, që janë treguesi më i hershëm i PBB-së sinjalizojnë për një përmirësim të aktivitetit ekonomik në shumë sektorë, me përjashtim të bizneseve të lidhura me turizmin, udhëtimet (transportin), bar restorantet, industrisë së këpucëve etj. Edhe konsumi i është rikthyer rritjes, ndonëse është i nxitur kryesisht nga shpenzimet për ushqimet bazë dhe sidomos për kujdesin shëndetësor, të lidhur me pandeminë.
SEKTORËT QË U GODITËN MË SHUMË
Agjencitë e udhëtimit dhe hotelet me humbjet më të mëdha
Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor
Ndalimi i udhëtimeve dhe i aktiviteteve turistike, që ende po vijon, ka bërë që agjencitë e udhëtimit të jenë më të goditurat në vend nga pandemia. Ky sektor nuk po arrin të marrë veten.
Pas rënies së aktivitetit me 86% në tremujorin e dytë, në periudhën e karantinës, vera vijoi me tkurrje prej 57%. Ndërsa në tremujorin e fundit, rënia u përshpejtua sërish në -66.4%, teksa as të huaj nuk erdhën dhe as shqiptarët nuk udhëtuan jashtë për festat e fundvitit.
Të dhënat e INSTAT treguan se në 2020-n, numri i shtetasve të huaj që hynë në vend ra me 58%, ndërsa i shqiptarëve që dolën jashtë u tkurr me 51%.
Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor
Në vend ka gjithsej rreth 1300 agjenci udhëtimi, sipas INSTAT.
Në të njëjtën linjë, aktiviteti i hoteleve është i dyti me rënien më të madhe. Volumi i aktivitetit të këtij sektori që vitet e fundit kishte marrë hov për shkak të rritjes së numrit të turistëve, ra me 63% gjatë periudhës së karantinës.
Pas një rikuperimi në muajt e verës, por që mbeti sa dy të tretat e vitit 2019, që ishte më i miri historik për turizmin, shitjet e këtij sektori ranë sërish me 41% në muajt e fundit të vitit, pas rikthimit të pjesshëm të karantinës.
Në vend ka rreth 1400 hotele, sipas INSTAT.
Më pak kohë dhe para të shpenzuara në bare e lokale
Një prej aktiviteteve më të përhapura në vend është ai i bareve dhe restoranteve. Në fund të vitit 2019 kishte rreth 17 mijë subjekte që ushtronin këtë aktivitet, ose 15% e totalit.
Por, karantina e mars-majit dhe më pas kufizimet në oraret e mbrëmjes kanë bërë që ky aktivitet të jetë në vështirësi. Indekset e volumit ranë me 55% në tremujorin e dytë. Në periudhën në vijim, ndonëse sektori e mori veten, ai u tkurr me 19% në tetor-dhjetor./ Monitor
