Sipas një projektraporti mbi origjinën e COVID-19-s, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në bashkëpunim me autoritetet kineze, transmetimi i virusit nga lakuriqët e natës tek njerëzit, përmes një kafshe tjetër është skenari më i mundshëm.
Në një kopje të projektraportit të siguruar nga agjencia e lajmeve “Associated Press” thuhet gjithashtu se rrjedhja e virusit nga laboratori është diçka “jashtëzakonisht e pamundur”.
Gjetjet ofrojnë pak dhëna të reja se si virusi u shfaq për herë të parë dhe ngrenë shumë pikëpyetje, megjithëse kjo ishte ajo çka pritej. Por raporti jep më shumë detaje mbi arsyetimin që është bërë për daljen në këto përfundimeve nga ana e studiuesve. Ekipi propozoi kërkime të mëtejshme në çdo fushë përveç hipotezës së virusi mund të ketë dalë nga një laborator.
Raporti, i cili pritet të bëhet publik të martën, po ndiqet me interes pasi zbulimi i origjinës së virusit mund të ndihmojë shkencëtarët të parandalojnë pandemitë në të ardhmen, por ai ka krijuar gjithashtu ndjeshmëri të lartë për shkak të sugjerimeve që e bënin Kinën fajtore lidhur me pandeminë aktuale. Vonesat e përsëritura në publikimin e raportit kanë ngritur pikëpyetje rreth asaj nëse pala kineze po përpiqej të shtrembëronte përfundimet e tij.
Një hetim i zhvilluar nga agjencia “Associated Press” vitin e kaluar, zbuloi se qeveria kineze po kontrollonte në mënyrë rigoroze të gjitha kërkimet që po kryheshin lidhur me origjinën e virusit.
“Ne kemi shqetësime reale në lidhje me metodologjinë dhe procesin që është ndjekur për këtë raport, përfshirë faktin se qeveria në Pekin me sa duket ka ndihmuar për hartimin e tij“, tha gjatë një interviste të dhënë së fundmi për rrjetin televiziv CNN, sekretari amerikan Shtetit Antony Blinken. Të hënën Kina i hodhi poshtë akuzat.
