Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme takim online me përfaqësues të instituteve të formimit dhe trajtimit profesional.
Në këtë takim Basha theksoi se trajnimi dhe kualifikimi i të rinjve shqiptarë është i rëndësishëm për tregun evropian.
Kryedemokrati gjithashtu tha se qeveria e ardhshme do të vendos një stazh 12 mujor të paguar nga shteti për 10 mijë student të diplomuar, për t’u mundësuar lidhjen me tregun e punës, si dhe do investoj në ngritjen e 4 inkubatorëve që do të jenë mbështetje për të rinjtë të cilët duan t’i futen rrugës së sipërmarrjes.
Ndërsa marrëveshja me Aleancën e Universiteteve Europiane parashikon ofrimin e 5 gjuhëve të huaja falas për qytetarët nën moshën 35 vjeç.
“Ne po vendosim ose do të vendosim një stazh të paguar me paratë publike për 12 muaj, për 10 mijë studentët më të mirë nga 35 deri në 40 mijë të diplomuar rishtaz të sektorit publik çdo vit, që të ndërtojmë një urë nga universiteti drejt tregut të punës. Por po kështu, duam të investojmë në ngritjen e 4 inkubatorëve të cilët përmes granteve dhe infrastrukturës, t’i japim mundësi të rinjve me shpirt sipërmarrës dhe të rinjve me ide për inovacionin dhe për sipërmarrjen që të kenë një dorë që t’i ndihmojë dhe jo pengesa pas pengesash në rrugën e tyre për të themeluar një biznes të vetin. Për t’ju referuar asaj që tha profesor Vidberg, edhe në Shqipëri ka shumë kampionë të fshehura. Kemi vendosur kontakte me Aleancën Europiane të Universiteteve dhe kemi përpunuar së bashku planin për të ofruar fillimisht 5 gjuhë të huaja online pa pagesë për qytetarët shqiptarë nën moshën 35 vjeç, duke filluar nga 1 shtatori. Bëhet fjalë për anglishten, gjermanishten, italishten, spanjishten dhe frëngjishten dhe po kështu për trajnime për 20 profesione të ndryshme”, tha Basha.
Ndërsa shefi ekzekutiv i Shoqatës së Zejtarëve të rrethit Paderborn, Michael Lutter, tha se sistemi dual është një sistem i lidhur ngushtë me ekonominë.
Ai u shpreh se kjo shoqatë ka filiale edhe në vendet e tjera europiane dhe shprehu dëshirën që ekspertizën e tyre ta sjellin dhe në Shqipëri.