Eksperienca e Armando Sadikut të Bolivar nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo jo vetëm për faktin se skuadra e tij u eliminua pa arritur grupet e Kupës Libertadores, për të cilat ai kishte udhëtuar drejt Amerikës së Jugut. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare vazhdon të mos gjejë rrugën e rrjetës me klubin e tij si në kampionat, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare e sot ka shpërdoruar një mundësi të mirë për ta bërë një gjë të tillë.
Në ndeshjen e Kupës Sudamerikana, që është turneu i dytë për nga rëndësia në Amerikën e Jugut, ekipi i tij vihej përballë bolivianëve të Vilsterman dhe Sadiku pat mundësinë e shkëlqyer për të shënuar golin e tij të parë në ndeshje zyrtare kur Bolivar fitoi penallti që në minutën e tretë.
Sulmuesi mori përsipër gjuajtjen nga pika e bardhë, por tentativa e tij ishte shumë e dobët dhe qendrore, duke bërë që portieri kundërshtar ta neutralizonte atë. Një mundësi e humbur për të vënë emrin e tij mes golashënuesve dhe për të hyrë në historinë e futbollit si i pari shqiptar që realizon në atë turne. Por sidomos për të zgjidhur krizën para portës që ka filluar të ndjehet dhe ta bëjë atë objekt kritikash mes tifozëve të klubit.
